Mbrojtësi i Kosovës, Florent Hadergjonaj, ka dhuruar një paraqitje të jashtëzakonshme duke qenë protagonisti kryesor në fitoren bindëse të Alanyaspor ndaj Kocaelispor me rezultat të thellë 5-0, në kuadër të javës së 27-të të Superliga e Turqisë.
Hadergjonaj e nisi spektaklin personal në minutën e 26-të, kur realizoi një gol të bukur nga distanca, duke goditur saktë nga rreth 25 metra dhe duke i dhënë epërsinë ekipit të tij. Vetëm pesë minuta më vonë, ai u shndërrua në asistues, duke shërbyer për Hëang Ui-jo, i cili realizoi për 2-0.
Forma e shkëlqyer e mbrojtësit kosovar vazhdoi edhe në pjesën e dytë, ku ai regjistroi asistimin e dytë në këtë takim, kësaj radhe për Lima, duke kontribuar në golin për 3-0 dhe duke vulosur një mbrëmje të paharrueshme personale.
Alanyaspori nuk u ndal me kaq, duke shënuar edhe dy gola të tjerë për të kompletuar një fitore të thellë, në një ndeshje ku Hadergjonaj dhe bashkëlojtari i tij nga Kosova, Fidan Aliti, luajtën për 90 minuta të plota.
Për performancën e tij të jashtëzakonshme, Hadergjonaj u vlerësua si lojtari i ndeshjes nga SofaScore me notën 8.5, duke konfirmuar edhe një herë formën e lartë që po kalon këtë sezon. Në total, ai ka regjistruar 8 gola dhe 8 asistime në të gjitha garat, një statistikë mbresëlënëse për një mbrojtës krahu.
Me këtë fitore, Alanyaspor ngjitet në kuotën e 31 pikëve dhe renditet në pozitën e 10-të në tabelë, duke marrë frymë më lirshëm në kampionat dhe duke shfaqur sinjale pozitive për vazhdimësinë e sezonit.