Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, për tetë vite ka udhëhequr klubin e basketbollit “Bashkimi” në Prizren. Gjithashtu, ai ka shërbyer edhe si nënkryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës, ndërsa së fundmi ishte anëtar ekzekutiv i bordit të Ligës së Përbashkët të Basketbollit Kosovë – Shqipëri (UNIKA).
Ani pse me angazhime politike, Totaj vazhdon ta ketë pasion basketbollin dhe të merret me të (kohë pas kohe).
Në emisionin “LIBERO”, ai u përgjigj në mënyrë interesante kur u pyet për idenë e krijimit të një ekipi basketbolli mes kundërshtarëve politikë, duke theksuar se përzgjedhja duhet të bazohet në aftësitë sportive dhe jo në përkatësinë partiake.
Totaj u shpreh se fillimisht do t’i përjashtonte ata që nuk kanë pasur përvojë në sport, duke nënvizuar rëndësinë e nivelit të lojës: “I kisha përjashtu ata që nuk kanë qenë sportistë përpara”.
Sa i përket kryeministrit Albin Kurti, ai tha se nuk ka simpati të veçantë për të në aspektin politik, por nuk e përjashton mundësinë që ta provojë si pjesë të ekipit në aspekt sportiv.
Kryetari i Prizrenit përmendi edhe anëtarë nga Partia Demokratike e Kosovës, si Blerand Stavilecin, por theksoi se nuk preferon ndarje sipas vijave partiake.
Në vend të kësaj, ai theksoi se do të preferonte që ekipet të formoheshin mbi bazën e nivelit dhe aftësive si sportistë, duke shmangur ndikimin e përçarjeve politike në aktivitetet sportive.
Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Shaqir Totaj, klikoni në linkun e mëposhtëm: