Tashmë nuk është thjesht një thashethem i rëndomtë merkatoje, por ka diçka të vërtetë në zërat që e lidhin Alessandro Bastoni-n me një transferim drejt Barcelonës. Italiani është në kulmin e karrierës dhe transferimi te Barcelona padyshim do të jetë një hap i madh për të.
Bastoni është i preferuari i Hansi Flick për të forcuar qendrën e mbrojtjes, repart që ka shfaqur shumë probleme këtë sezon. Vetë lojtari ka lënë të kuptohet se është i hapur për një lëvizje drejt Barcelonës, megjithatë largimi nga Inter nuk do të jetë edhe aq i lehtë.
Duke ditur rëndësinë dhe peshën që Bastoni ka në ekip, zikaltrit do të hiqnin dorë prej tij vetëm për një ofertë të parezistueshme, që mendohet të jetë 70 milionë euro. Mediet pranë klubit të Barcelonës bëjnë me dije se oferta e parë e katalanasve pritet të jetë 50 milionë euro plus 15 milionë euro të tjera bonuse, pra në total 65 milionë euro.
Një gjë mund të thuhet që tani me siguri, Bastoni do të jetë një nga personazhet më kryesore të merkatos së verës. Përveç Barcelonës, për 26-vjeçarin italian ka interes të madh edhe nga Liverpool, por vetë dëshira e lojtarit duket se është transferimi te Barcelona.