Monday, 13. April 2026
Futboll

Kosova në kërkim të përmbysjes ndaj Bosnjë e Hercegovinës

GS 21/03/2026 2 Min. Lesezeit

Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka vazhduar përgatitjet për ndeshjen e kthimit kundër Bosnjë e Hercegovinës, në kuadër të fazës së dytë kualifikuese për Botërorin 2027.

 

“Dardanët” u mposhtën në ndeshjen e parë të zhvilluar në Tuzëll me një diferencë prej 13 golash, duke e vështirësuar ndjeshëm rrugën drejt kualifikimit. Megjithatë, skuadra ka mbetur optimiste dhe e fokusuar për ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet të dielën në Prishtinë, me fillim nga ora 17:00.

 

Për rreth 40 minuta në ndeshjen e parë, Kosova ishte në nivel të barabartë me kundërshtarin, por rënia në lojë dhe gabimet në 20 minutat e fundit i kushtuan shtrenjtë, duke i dhënë mundësi boshnjakëve të krijojnë epërsi të thellë.

 

Gjatë përgatitjeve, përzgjedhësi Jesper Östlund dhe stafi i tij janë fokusuar pikërisht në eliminimin e gabimeve dhe ruajtjen e ritmit gjatë gjithë ndeshjes. Gjithashtu, pritet që Leonard Gegaj dhe Olsi Mulaj të jenë të gatshëm për këtë përballje, pasi mungesa e tyre u ndie në takimin e parë.

 

Edhe pse përmbysja mbetet një sfidë shumë e vështirë, Kombëtarja e Kosovës synon të japë maksimumin dhe të arrijë një rezultat pozitiv para tifozëve vendas në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Teilen: