Tirana nuk gabon në “Selman Stërmasi”, mposht me rezultatin 3-0 Vorën dhe hedh një hap të madh drejt mbijetesës në elitën e futbollit shqiptar. Bardheblutë fitojnë përballë një rivali direkt dhe barazohen me Vorën në tabelën e klasifikimit.
Alvarez zhbllokoi sfidën në pjesën e parë, ndërsa në të dytë shkëlqen Redon Xhixha, që realizon dy gola.
Sfida e transmetuar në RTSH 1 ka qenë e bukur dhe plot emocione. Tirana kalon shumë shpejt në avantazh me Alvarez. Bardheblutë luajnë më mirë, por golat vijnë në pjesën e dytë.
Protagonist bëhet Xhixha, që sapo futet në fushë shënon golin e dytë për vendasit. Pak minuta më vonë sulmuesi shënon golin e dytë personal dhe të tretin për skuadrën e tij.
Mbyllet 3-0 ndeshja në “Selman Stërmasi”. Tirana fiton derbin e mbijetesës, merr 3 pikë të arta përballë një rivali direkt dhe barazohet me pikë me Vorën, që duket se ka harruar të fitojë në kampionat.