Futbollisti i Dritës, Veton Tusha është shpallur më i miri për xhiron e 26-të në Superligë, ka njoftuar Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), të hënën.
Tusha e ka fituar çmimin “Ylli i Javës” pasi është vlerësuar si lojtari me paraqitjen më të mirë në Superligë nga Komisioni i Veteranëve të futbollit.
Në fakt, Tusha ishte edhe më i merituari për fitoren e Dritës në derbin kundër skuadrës së Gjilanit, të cilën e mposhti me rezultatin 1:0.
Tusha realizoi golin e vetëm në këtë ndeshje, në të cilën luajti deri në minutën e 76-të.
Me këtë fitore, Drita është shkëputur në krye të tabelës me 48 pikë, tri më shumë se Ballkani që renditet i dyti në tabelë kurse Tusha ka regjistruar golin e tij të katërt këtë sezon në 20 paraqitje në Superligë.
Pasi mori çmimin “Ylli i Javës”, Tusha u shpreh tejet i lumtur për vlerësimin kurse shtoi se ndihet shumë i lumtur që ka ndihmuar Dritën ta fitojë derbin kundër Gjilanit.
Gjithashtu, Tusha shtoi se Drita do të luftojë deri në fund për titullin e kampionit kurse sa i përket çmimit, atë ia dedikoi tifo-grupit “Intelektualët”, si dhë falënderoi bashkëlojtarët, stafin e trajnerëve dhe familjen që i qëndrojnë afër gjithmonë.