Në prag të përballjes historike kundër Polonisë, e vlefshme për fazën play-off të Botërorit, mbrojtësi Elseid Hysaj dhe mesfushori Qazim Laçi dolën në një konferencë për shtyp ku shpalosën besimin dhe strategjinë e Kombëtares. Të dy lojtarët shfaqën optimizëm maksimal, duke theksuar se skuadra është e përgatitur për një nga ndeshjet më të rëndësishme të dekadës.
Mbrojtësi shkodran, Elseid Hysaj, e cilësoi kualifikimin në Botëror si ëndrrën e madhe dhe kapitullin e vetëm që i mungon në karrierën e tij pas dy pjesëmarrjeve në Kampionate Evropiane.
“Është një ëndërr… Besimin e kam shumë të madh, si gjithë çunat,” deklaroi ai. Hysaj e përshkroi përballjen si një sfidë “teke” dhe tejet të vështirë, duke përdorur një metaforë të fortë: “E dimë sigurt që vetëm një derë kemi për të kaluar. Po s’kaluam nga ajo derë, do kthehemi mbrapsht.” Ai shtoi se në rast kualifikimi, ndeshja finale do të ishte “ndeshja e jetës”.
Mesazhi nga kampi kuqezi është i qartë: respekt maksimal për Poloninë, por aspak frikë. Me një kombinim të ëndrrës së madhe të Hysajt dhe vendosmërisë taktike të Laçit, Kombëtarja Shqiptare duket e gatshme të luajë gjithçka për gjithçka, me synimin për të mbajtur gjallë shpresën për një kualifikim historik në Kupën e Botës. Të dy lojtarët premtuan se do të luajnë me zemër për të bërë krenarë sa më shumë shqiptarë.