Elseid Hysaj dhe Qazim Laçi, të hënën, në prag të grumbullimit të Shqipërisë, janë paraqitur në konferencën për shtyp para duelit me Poloninë.
Shqipëria do të përballet të enjten mbrëma me Poloninë, ndeshje kjo që i takon “play-offit” për kualifikim në Kampionatin Botëror të kësaj vere.
Si Hysaj ashtu edhe Laçi kanë vlerësuar lart Poloninë, por edhe kanë shprehur optimizmin e tyre për këtë ndeshje, të cilën e kanë vlerësuar si tejet të rëndësishme.
Fituesi i këtij dueli, në finalen e “play-offit” do të përballet me fituesin e ndeshjes Ukrainë – Suedi për një vend në Botëror, saktësisht Grupin F, pjesë e të cilit tashmë janë Holanda, Japonia dhe Tunizia.
Laçi ka thënë se fituesin në Varshavë do ta përcaktojnë detajet e vogla, të cilat edhe do ta bëjnë diferencën por ka insistuar se Shqipëria do ta bëjë të pamundurën për ta kaluar pengesën e parë, përpara se të fokusohet te finalja.
Në anën tjetër, Hysaj ka shtuar se të gjithë futbollistët e kanë parasysh se ky është rasti i vetëm për të siguruar Botërorin dhe për këtë arsye do të luajnë me zemër për ta mposhtur Poloninë.
Sipas tij, te Shqipëria do të ndihet mungesa e sulmuesve Rey Manaj e Mirlind Daku, të cilët nuk janë pjesë e grumbullimit për shkak të lëndimeve.