Rodri beson se fitorja e Manchester City në finalen e Carabao Cup ndaj Arsenal mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në garën për titull. “Citizens”, që janë 9 pikë prapa “gunners” në Premier League, i dhanë një goditje rivalëve të tyre, duke i mposhtur për trofeun e parë të madh të sezonit (2-0 në Wembley).
Kjo fitore ishte mënyra perfekte për t’u reaguar pas eliminimit nga Champions League dhe Rodri ndjen se besimi është rikthyer: “Rezultati mund të ndikojë në garën për titull. Kjo ishte një ndeshje jo vetëm për këtë titull, por edhe për të treguar se mund t’i mposhtim ata në ndeshjen direkte në prill”.
“Humbja me Real Madrid ishte e vështirë për t’u pranuar, por skuadra është rikuperuar. E dinim se ishte një ndeshje shumë e rëndësishme jo vetëm për shkak të kupës, por edhe sepse duhej të përballeshim me ekipin më të mirë në ligë”, shtoi Rodri.
City, i cili ka një ndeshje më pak, do të përballet përsëri me Arsenal në stadiumin Etihad më 19 prill. Pas eliminimit në Champions, skuadra e trajnerit Guardiola do të luajë vetëm dy herë deri në atë përballje direkt, ndërsa Arsenal do të luajë 4 herë.
“U eliminuam nga Champions dhe tani duhet të marrim anët pozitive, kemi më shumë kohë për t’u përgatitur për ndeshjet. Tani duhet të pushojmë, të kthehemi pas ndeshjeve ndërkombëtare me optimizmin se kemi ende dy trofe të tjerë për të cilët mund të luftojmë dhe fitojmë”, tha Rodri.