Thursday, 26. March 2026
Futboll

Gabime serioze në diagnozë tronditin Departamentin Mjekësor të Real Madridit-Viktima e rradhës Eduardo Camavinga

GS 26/03/2026 2 Min. Lesezeit

Pas polemikave për diagnozën e pretenduar të gabuar ndaj Kylian Mbappé, departamenti mjekësor i Real Madrid ka marrë një tjetër goditje të fortë, këtë herë me Eduardo Camavinga.

 

Sipas të përditshmes franceze L’Équipe, mesfushori francez 23-vjeçar, i cili u lëndua në kyçin e këmbës së majtë gjatë ndeshjes ndaj Athletic Bilbao më 3 dhjetor 2025 (fitore 3-0), ka përjetuar një situatë të ngjashme me atë të Mbappé-së. Camavinga shënoi një gol, por u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 69-të.

 

Një ditë pas lëndimit, ai iu nënshtrua një rezonance magnetike, por për shkak të një gabimi komunikimi midis klubit dhe klinikës ku u krye ekzaminimi, mjekët u fokusuan te këmba e djathtë, aty ku nuk kishte asnjë problem. Si rezultat, mesfushori mori “dritën jeshile” për t’u stërvitur, ndërkohë që problemi real në këmbën e majtë mbeti i pazbuluar.

 

Ky gabim solli pasoja serioze. Camavinga, edhe pse ishte i grumbulluar për ndeshjen ndaj Celta Vigo më 7 dhjetor, nuk luajti. Më pas ai mungoi edhe në përballjet ndaj Alavés në kampionat, Manchester City në UEFA Champions League dhe Talavera në Kupë, për shkak të problemeve të vazhdueshme me kyçin. Ai u rikthye në fushë më 20 dhjetor ndaj Sevilla, por vetëm për 18 minuta.

 

Ngjashmëritë me rastin e Mbappé-së janë të dukshme: sulmuesi kishte probleme me gjurin e majtë në dhjetor, ndërkohë që mediat raportuan se mjekët e Realit kishin kontrolluar gjurin e djathtë. Gazetari Daniel Riolo nga Radio Monte Carlo deklaroi se diagnoza e gabuar ishte një turp për klubin dhe mund të kishte pasoja edhe më të rënda për Mbappé-në.

 

Megjithatë, Mbappé mohoi raportimin, duke theksuar se informacioni se ishte kontrolluar gjuri i gabuar nuk ishte i vërtetë. Ai pranoi se mungesa e komunikimit mund të ketë krijuar keqinterpretime, por rasti i Camavinga-s ka rikthyer sërish debatet mbi menaxhimin mjekësor te Real Madridi.

Teilen: