Fundjava në ProCredit Superligën e Kosovës sjell ndeshje vendimtare dhe emocione të mëdha, pasi java e 26-të pritet të ndikojë drejtpërdrejt në renditjen përfundimtare të disa skuadrave.
Xhiroja hapet të shtunën me përballjen mes Trepçës dhe Borës, ku kampionët aktualë tashmë e kanë siguruar pozitën e tretë me 22 fitore dhe tri humbje. Në anën tjetër, Bora synon të përmirësojë bilancin dhe të mbyllë sezonin në mënyrë sa më dinjitoze.
Po të shtunën zhvillohet edhe një nga ndeshjet më të rëndësishme të javës, ajo mes Vëllaznimit dhe Rahovecit 029 në Gjakovë. Të dy skuadrat ndodhen në dy pozitat e fundit të tabelës me nga tetë fitore dhe 17 humbje, duke e bërë këtë takim jetik në luftën për mbijetesë në elitë. Fitorja është opsioni i vetëm për të dyja ekipet.
Të dielën, vëmendja përqendrohet te derbi i madh ndërmjet Pejës dhe Sigal Prishtinës. Edhe pse këtë sezon të dy skuadrat nuk kanë arritur rezultatet e pritura, rivaliteti historik garanton një ndeshje të fortë dhe të luftuar. Peja renditet e katërta me 11 fitore dhe 14 humbje, ndërsa Sigal Prishtina është në vendin e gjashtë me nëntë fitore dhe 16 humbje.
Java e 26-të mbyllet me sfidën mes Bashkimit dhe Golden Eagle Yllit. Skuadra nga Prizreni mban vendin e dytë me 17 fitore dhe tetë humbje, ndërsa therandasit kanë një bilanc prej 11 fitoresh dhe 14 humbjesh, duke kërkuar pikë të rëndësishme për renditje më të mirë.