Presidenti i Federatës Argjentinase të Futbollit (AFA), Claudio “Chiqui” Tapia, është dërguar në gjyq për evazion fiskal së bashku me katër drejtues të tjerë, mes tyre edhe Pablo Toviggino. Sipas drejtësisë, ekzistojnë prova të mjaftueshme për të akuzuar drejtuesit e AFA për përvetësim të paligjshëm të të paktën 19 miliardë pesos (rreth 12 milionë euro), të ardhura nga mos pagesa e taksave dhe kontributeve shoqërore.
Në vendimin e gjyqtarit Diego Amarante thuhet se Tapia “ka vepruar me qëllim në faktet që i atribuohen (evazioni i 19 miliardëve)” dhe përfshirja e tij konsiderohet me dashje. AFA dhe Tapia, i hetuar edhe për pastrim parash dhe keqpërdorim fondesh, i kanë mohuar akuzat, duke pretenduar se është një manovër politike e presidentit Javier Milei për të transformuar futbollin argjentinas nga model jo fitimprurës në sistem privat.
Skandali shpërtheu pak javë para Botërorit në SHBA, Meksikë, Kanada, ku Argjentina e Lionel Messit synon të mbrojë titullin, mes tensioneve në federatë.