Ish-kapiteni legjendar i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, foli për “Euronews Albania” rreth ndeshjes mes Kosovës dhe Turqisë, që nis sonte në “Fadil Vokrri” nga ora 20:45. Ai pranoi se emocionet do të jenë të forta për të, si për të gjithë shqiptarët, duke theksuar lidhjen e veçantë që ka me Kosovën: “Do të kemi të gjithë emocione, pavarësisht nga çfarë trojesh shqiptare jemi. Për ne që jemi nga Kosova, të lindur dhe rritur atje, mbetet më e veçantë si ndeshje, kjo është e pamohueshme”.
I pyetur nëse i vjen keq që nuk ka veshur fanellën e Kosovës, Cana u përgjigj: “Besoj se secili në një moment jeton një kapitull dhe atë kapitull duhet ta përmbushë në mënyrën më të mirë. Ne kemi përjetuar një kapitull ku kemi shndërruar një ëndërr të shqiptarëve për t’u përfaqësuar me një simbol kombëtar dhe me një fanellë kombëtare, jo vetëm shqiptarët e Kosovës, por edhe ata të Maqedonisë dhe Luginës.
Sonte është një kapitull tjetër, ku janë djem kryesisht të rritur në Kosovë pas luftës dhe disa të tjerë të rritur në diasporë. Sonte mund të arrijnë një nga gjërat më të rëndësishme për Kosovën; ndoshta pas shpalljes së pavarësisë është ngjarja më e rëndësishme për afirmimin e Kosovës”.