Pak orë pas eliminimit të Italisë nga Bosnja me penallti, në finalen e “play off”-it të Botërorit, Aurelio De Laurentiis, president i Napolit, komentoi krizën e futbollit italian: “E ndiej të njëjtën gjë prej 10 vitesh. Ne luajmë shumë dhe kjo i shkatërron futbollistët tanë.
Nëse kthehemi te Serie A me 16 ekipe dhe heqim Superkupat në Arabinë Saudite, do të kursenim lojtarët tanë dhe do të kishim kohë për kombëtaren. Takticizmi italian nuk garanton më sukses ndërkombëtar. Në futboll gjithçka është e ngurtë dhe shumë njerëz thjesht jetojnë nga situata; unë nuk jam nga ata.
Sporti, përfshirë shtetin, ka sjellë sukses, e pamë në Olimpiada. Malagò ka punuar shumë mirë. Futbolli duhet të rifillojë nga zero. Lojtarët e mi janë në dispozicion vetëm nëse klubi kompensohet dhe sigurohet për vlerën e tyre në rast dëmtimi”.
Ja dhe receta e tij: “16 ekipe, më pak ndeshje, më shumë kohë për kombëtaren, pagesa dhe sigurime totale për lojtarët. Malagò mund të rigjallërojë futbollin italian brenda dy vitesh. Të tregojmë filmin e titullit të katërt për amerikanët në ‘Hollywood’ do të jetë argëtim për të gjithë italianët dhe amerikanët, duke promovuar Napolin në botë”.