Thursday, 2. April 2026
Sport

“Kemi dhënë gjithçka nga vetja”, Albion Rrahmani pas humbjes mbrëmë!

GS 01/04/2026 2 Min. Lesezeit

Pas humbjes minimale 0:1 ndaj Turqisë në Prishtinë, në finalen e “play-off”-it, sulmuesi Albion Rrahmani ka reaguar me një mesazh emocional, duke shprehur zhgënjimin për rezultatin, por edhe krenarinë për rrugëtimin e ekipit.

Rrahmani theksoi se disfata dhemb shumë, sidomos duke pasur parasysh se Kosova ishte pranë realizimit të një ëndrre të madhe për shumë gjenerata. Ai nënvizoi rëndësinë e kësaj ndeshjeje për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, duke e cilësuar si një moment me peshë të veçantë për kombin.

“Kemi dhënë gjithçka nga vetja në këtë kampanjë kualifikimesh për ta bërë këtë ëndërr realitet. Faleminderit që ishit pranë nesh në çdo stadium, keni qenë motivi ynë i madh. Kemi treguar se, sado që jemi shtet i vogël, kemi zemër të madhe,” ka shkruar Rrahmani.

Sulmuesi kosovar u shpreh gjithashtu optimist për të ardhmen, duke theksuar se ekipi do të vazhdojë të punojë për të arritur suksese dhe për t’i bërë krenarë tifozët.

“Jam i sigurt se do të vazhdojmë të krijojmë momente të bukura dhe t’ju bëjmë krenarë,” përfundoi ai.

Teilen: