Thursday, 2. April 2026
Futboll

Reagimi i FFK-së ndaj sulmeve verbale ndaj Vedat Muriqit: Futbolli si simbol i unitetit dhe krenarisë kombëtare

GS 01/04/2026 2 Min. Lesezeit

Pas humbjes së Kombëtares së Kosovës ndaj Turqisë, kapiteni Vedat Muriqi është bërë objekt i një sulmi verbal, përmes një televizioni, ku një shikues e quajti atë “gjysmë-turk”. Ky reagim ka shqetësuar dhe ka nxitur reagimin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), e cila ka dalë me një reagim të fuqishëm për të mbrojtur lojtarin dhe rëndësinë e tij për Kombëtaren.

FFK ka theksuar se Vedat Muriqi ka dhënë gjithmonë maksimumin në fushë, duke theksuar se lidershipi, energjia dhe shpirtin e tij nuk mund t’i matin vetëm golat, por edhe pasionin dhe profesionalizmin që ai shfaq në çdo ndeshje. Federata ka bërë thirrje për unitet dhe ka kërkuar nga qytetarët dhe tifozët që të mos lejojnë përçarje dhe urrejtje.

Deklarata e FFK-së për Vedat Muriqin

Futbolli është shumë më tepër se një lojë; ai është një pasqyrë e identitetit, përkushtimit dhe vlerave që ne si shoqëri duam t’i promovojmë. Kur kapiteni i Kombëtares, Vedat Muriqi, sulmohet me fyerje dhe gjuhë përçarëse, kjo nuk prek vetëm një lojtar, por prek një simbol të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve që e ndjekin futbollin me krenari.

Vedati ka dhënë gjithmonë më të mirën e tij në fushë. Përkushtimi dhe angazhimi i tij nuk matet vetëm me golat e shënuar, por edhe me lidershipin, energjinë dhe shpirtin që ai vë në çdo përballje. Ai është një shembull i profesionalizmit, pasionit dhe unitetit që Kombëtarja e Kosovës përfaqëson. Golat e tij nuk janë thjesht pikë në tabelë, por janë emocione që frymëzojnë popullin shqiptar dhe krijojnë krenari për vendin tonë.

Ofendimet dhe komentet fyese në rrjetet sociale nuk kanë vend në futboll dhe as në shoqërinë tonë. Nuk duhet të lejojmë që individë të tillë, të pakët në numër, të shpërfaqin negativitet, përçarje dhe urrejtje. Si institucione dhe si individë, duhet të reagojmë kur vlerat që na bashkojnë dhe përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare janë vënë në dyshim.

Teilen: