Thursday, 2. April 2026
Sport

Për Kombëtaren e Kosovës në futboll, diskutohet edhe në Kuvend

GS 02/04/2026 2 Min. Lesezeit

Për paraqitjen e suksesshme të Kombëtares së Kosovës në futboll në rrugëtimin kualifikues drejt Kampionatit Botëror të futbollit 2026, sot është folur edhe në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Bylbyl Sokoli, ka thënë në seancë se futbollistët treguan përkushtim, sakrificë dhe shpirt garues duke bërë që emri i Kosovës të dëgjohet dhe të respektohet në arenën ndërkombëtare

“Gjatë kualifikimeve për në Kampionatin Botëror në futboll që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë, futbollistët tanë përfaqësuan me dinjitet dhe krenari shtetin tonë. Ata treguan përkushtim, sakrificë dhe shpirt garues duke bërë që emri i Kosovës të dëgjohet dhe të respektohet në arenën ndërkombëtare. Kjo paraqitje nuk ishte vetëm një garë sportive por edhe një mesazh i fortë se Kosova ka talent, ka vullnet dhe ka potencial për të arritur edhe më shumë. Sot më shumë se kurrë më parë sportistët e rinj i kanë rrugët e garave kombëtare dhe ndërkombëtare, gjë që përbën një mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin dhe afirmimin e tyre”, theksoi Sokoli.
Por, ai bëri thirrje që sporti në Kosovë të mbështetet me infrastrukturë moderne sportive në mënyrë që këto rezultate të jenë edhe më të larta.

“Megjithatë, për të arritur rezultate edhe më të mëdha në të ardhmen, sportistët tanë kanë nevojë për mbështetje edhe më të madhe. Kosovës i duhet një infrastrukturë sportive moderne, kushte më të mira për zhvillim dhe një bazë ligjore e qartë dhe funksionale që e mbështetë sportin”, tha Sokoli.

Kosova arriti deri në finalen e playoff-it të Botërorit 2026 ku u mposht nga Turqia me rezultat 1-0 në Prishtinë.

Teilen: