Phil Foden nuk e ka vendin të sigurt në Botërorin 2026. Sinjalin e alarmit e dha trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel: “Ka dhënë gjithçka, ka qenë i shkëlqyer në grumbullim, por e ka të vështirë ta tregojë në fushë. Asgjë nuk garantoj se do të vijë në Botëror”.
Fjalë të qarta që tregojnë pasiguri rreth një prej talenteve më të mëdhenj të brezit të tij. Foden, 25 vjeç, me 49 paraqitje me kombëtaren, ishte titullar në miqësoret ndaj Japonisë dhe Uruguajit, por në të dyja u zëvendësua para një ore lojë. Tuchel shtoi: “Duhet të mësojë nga çdo stërvitje, nga kohezioni i grupit dhe reagimi i lojtarëve ndaj planit të lojës”.
Problemi lidhet edhe me situatën te Manchester City, ku nuk është më titullar i padiskutueshëm. Në kombëtare, konkurrenca për rolin e “10” është e fortë me Jude Bellingham, Cole Palmer dhe Morgan Rogers.