Gjithmonë ka shumë debate se cili është stadiumi më i mirë në botë, sepse Real Madridi është i sigurt se është “Santiago Bernabeu”, por Barcelona këmbëngul se “Camp Nou” së shpejti do të jetë më i miri në botë, kur të hapet plotësisht për tifozët.
Po, ashtu Atletico Madrid e Bayern Munich, apo çdo ekip tjetër i madh ka pretendimet e veta se stadiumi i tyre është më i miri në botë.
Revista “Architecture and Design”, duke marrë parasysh mendimet e tre ekspertëve të fushës si Javier San Juan, Alicia Casals dhe Jaime Salva, ka arritur në përfundimin se stadiumi më i mirë në botë për sa i përket arkitekturës është Stadiumi Kombëtar i Japonisë.
I projektuar nga Kengo Kuma dhe i përuruar në vitin 2019, stadiumi Kombëtar i Jaopnisë është një vepër shumë origjinale që nuk kërkon vëmendjen, por përkundrazi përcjell elegancë brenda mjedisit të tij. Ekspertët besojnë se ai krenohet me një arkitekturë të ndjeshme dhe të qëndrueshme.
Ky stadium është ndërtuar në zemër të kryeqytetit japonez, pranë një parku shumë të madh dhe përshtatet vërtet bukur me peisazhin jashtë dhe pjesën e natyrës. Për më tepër, ai krenohet me shumë karakteristika moderne, sepse është shumë i ri dhe nuk ishte një rinovim si ai i bërë në “Santiago Bernabeu”, i cili ruajti shumë pjesë të stadiumit të vjetër. Më shumë sesa një stadium në kuptimin klasik, ai funksionon si një peizazh arkitektonik, kjo është ajo që të paktën pretendojnë tre ekspertët e fushës.

