Friday, 3. April 2026
Sport

Kane edhe më larg rekordit te Lewa-s, Kompany s’e rrezikon, në Freiburg rikthen Musiala, Neuer dhe Davies

GS 03/04/2026 2 Min. Lesezeit

Bayern-i udhëton nesër në Freiburg me mendjen te Champions League. Ndeshjet me Real-in e Madridit kanë vëmendjen maksimale në kampin bavarez, i cili më parë duket që të mbyllë praktikën në “Europa Park Stadion”.

Për të prezantuar këtë ndeshje u shfaq përballë gazetarëve Vincent Kompany, i cili zbuloi disa informacione nga infermieria e klubit bavarez.

“Si Davies edhe Musiala do të jenë gati për të luajtur, por nuk mund të them se janë gati që të zbresin në fushë tre ndeshje në javë. Ju e kuptoni se tjetër gjë është të luash një 90’ dhe tjetër gjë është që të aktivizohesh më kohë të plotë. Për momentin nuk e kemi këtë lluks, por do të mundohemi që të bëjmë maksimumin”, tha belgu.

Një tjetër rikthim i rëndësishëm për Bayern-in është edhe ai i Manuel Neuer. Sipas trajnerit portieri legjendar është në 100% e formës dhe do të jetë gati për pjesën kulminante të sezonit.

Një dyshim ka lindur në sulm. Nesër përballë Freiburg, Bayern nuk mund të aktivizojë në sulm Jakson, i cili është i pezulluar. Ndërsa Kane duket se do të ulet në stol pasi Kompany nuk do të rrezikojë anglezin. Harry ka ankuar dhimbje në kavilje dhe nuk do të rrezikojmë. Mendoj se do të gjejmë zgjidhje të tjera për sulmin pasi ai nesër nuk do të jetë në fushë”, tha 39-vjeçari.

Për Kane në planin personal ky dëmtim i lehtë ka ardhur në momentin më të keq të mundshëm pasi ai në sezonin e tretë në Mynih është shumë pranë rekordit të Lewandowski-t, i cili ka shënuar 41 gola në një edicion të vetëm të Bundesliga-s. Për të thyer këtë rekord 32-vjeçarit i duhet që të shënojë dhjetë gola në gjashtë ndeshjet e mbetura në Bundesliga.

Teilen: