Portieri i Kombëtares së Kosovës, Amir Shaipi, mund të jetë pranë një transferimi të ri gjatë afatit kalimtar veror. Sipas raportimeve të Blick, për shërbimet e tij ka shfaqur interes serioz klubi norvegjez Bodø/Glimt, i cili këtë sezon arriti deri në fazën e 1/8-së së finales në UEFA Champions League.
25-vjeçari është pjesë e FC Luganos që nga vera e vitit 2021 dhe ka kontratë valide deri në vitin 2027. Megjithatë, situata e tij në klubin zviceran nuk është më aq e qëndrueshme sa më parë. Sezonin aktual, Shaipi nuk është më zgjedhja e padiskutueshme në portë, pasi minuta të konsiderueshme ka marrë edhe David von Ballmoos, kontrata e të cilit u rinovua së fundmi.
Kjo situatë ka krijuar paqartësi në hierarkinë e portierëve te Lugano, duke shtuar spekulimet për një largim të mundshëm të Shaipit. Për më tepër, klubi zviceran mund ta shohë këtë verë si një nga mundësitë e fundit për të përfituar financiarisht nga shitja e tij.
Vetë gardiani kosovar nuk i ka fshehur ambiciet për të bërë hapin e radhës në karrierë. Në një deklaratë të fundit për “Blick”, ai theksoi: “Çdo lojtar dëshiron të bëjë hapin tjetër dhe të luajë në një nga pesë ligat më të forta në Evropë.”
Në anën tjetër, Bodø/Glimt mbetet një klub me përvojë të konsiderueshme në arenën ndërkombëtare vitet e fundit dhe mund të kërkojë përforcime në pozitën e portierit gjatë verës. Portieri aktual, Nikita Haikin, ka tërhequr vëmendjen e klubeve të tjera me paraqitjet e tij, duke e bërë Shaipin një kandidat potencial për ta zëvendësuar.