Pas një pauze të shkurtër, Superliga e Kosovës rikthehet këtë fundjavë me emocionet e xhiros së 29-të, ku në program janë disa përballje tejet të rëndësishme si për mbijetesë, ashtu edhe për objektiva më të larta.
Dy ndeshjet e para të kësaj xhiroje zhvillohen sot më 18 prill, ku vëmendja do të jetë e përqendruar në përballjet Ferizaj – Prishtina e Re dhe Llapi – Prishtina.
Në duelin e parë, mes Ferizajt dhe Prishtinës së Re, pritet një betejë e fortë për pikë jetike. Të dyja skuadrat janë të përfshira në luftën për mbijetesë dhe çdo gabim në këtë fazë të sezonit mund të rezultojë fatal. Përballja e fundit mes tyre kishte përfunduar me fitore minimale 1-0 në favor të Prishtinës së Re, çka e shton edhe më shumë rivalitetin për këtë sfidë.
Ndërkohë, në ndeshjen tjetër, Llapi pret Prishtinën në një derbi që premton spektakël dhe tension, në prani të tifozëve pas rishqyrtimit të vendimit nga FFK-ja. Skuadra nga Podujeva ka pasur një sezon me luhatje të mëdha dhe kërkon rikthimin te fitorja para tifozëve të vet, sidomos pas humbjes së fundit në shtëpi ndaj Drenicës (1-0).
Në anën tjetër, Prishtina vjen pas dy barazimeve radhazi dhe synon që të rikthehet te fitoret për të mbajtur gjallë objektivat e saj. Kujtojmë se në përballjen e fundit mes këtyre dy skuadrave, kryeqytetasit kishin triumfuar bindshëm me rezultat 4-1 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Të dy ndeshjet zhvillohen sot më 18 prill, me fillim nga ora 15:00.