Kristjan Asllani ka shënuar golin e parë te Besiktas, në humbjen 2-1 ndaj Samsunspor, në sfidën e vlefshme për javën e 30-të në Superligën Turke. Në momentin kur rezultati ishte 2-0 për vendasit, në minutat e fundit të kohës së rregullt, Beikstas fiton penallti, pas prekjes së topit me dorë brenda në zonë nga njëri prej lojtarëve kundërshtarë.
Penalltinë e merr përsipër ta ekzekutojë Asllani, i cili tregohet i saktë nga 11-metrat dhe i gëzohet golit të parë me Besiktas. Pas kësaj humbjeje, Besiktas mbetet në vendin e 4-të me 55 pikë.
Kujtojmë se Asllani është i huazuar te klubi turk deri në fund të këtij sezoni nga Inter, por me të drejtë blerje. Shqiptari tjetër, Milot Rashica u aktivizua si zëvendësues, duke u futur në fushë në minutën e 77-të.