Më shumë se 194 mijë euro të derdhura në kasat e agjensisë së eventeve që organizonte festat në Milano. Emrat e lojtarëve nuk janë bërë publikë. Asnjëri prej tyre nuk është nën hetim, pasi askush nuk ka kryer vepër penale.
Janë të paktën 70 futbollistë që kanë marrë pjesë në festat e organizuara nga agjensia e eventeve, që prej se hënës është në qendër të një hetimi për shfrytëzim dhe favorizim prostitucioni. Sipas “Ansa”, bëhet fjalë për lojtarë të Serie A, të skuadrave si Inter, Milan, Juventus, Verona, Torino, Monza dhe Sasuolo. Emrat e sipërmarrësve dhe futbollistëve nuk janë bërë publikë. Asnjëri prej tyre nuk është nën hetim, duke qenë se nuk ka kryer vepër penale. Për më tepër, nuk është e qartë se sa prej tyre kanë përdorur shërbimin e eskortave.
Janë arrestuar drejtuesit e agjensisë, Emanuele Buttini dhe Deborah Ronchi, si dhe dy bashkëpunëtorët Alessio Salamone dhe Luan Fraga. Shërbimi që u ofrohej klientëve ishte i plotë: darkë në një restorant luksoz, pastaj mundësia për ta vazhduar mbrëmjen në lokale ose dhomën e hotelit.
Klientët ishin VIP, biznesmenë të njohur, njerëz të tjerë të famshëm, futbollistë dhe një pilot i Formula 1. “Kam një mik, pilot i Formula 1, që do një vajzë. E gjejmë?” “I çojmë një braziliane”. Janë disa nga frazat që përmenden në hetim.