Dita e nëntë e protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, deri në këto momente, është karakterizuar nga një qetësi e përgjithshme, me një rënie të dukshme të intensitetit të përplasjeve krahasuar me ditët e mëparshme. Megjithatë, përgjatë orëve të mbrëmjes janë shënuar disa incidente të izoluara nga ana e personave të maskuar.
Si shenjë demonstrative për refuzimin e ftesës për dialog të bërë nga Kryeministri Edi Rama, protestuesit kanë djegur publikisht një karrige.
Incidente të izoluara dhe reagimi i policisë
Pavarësisht rënies së dendësisë së sulmeve, në drejtim të godinës së Kryeministrisë dhe disa bizneseve të dëmtuara më parë pranë zonës së Kullave Binjake janë hedhur lëndë djegëse.
Ndërhyrja e forcave të rendit ka qenë e menjëhershme për kontrollin e situatës.
Nuk munguan as molotovët e parë drejt godinës së qeverisë e disa bizneseve tashmë të djegur te Kullat Binjake, zjarret e të cilëve u shuan shpejt nga policia. Pas tyre, kanë nisur të hedhin edhe gurë ndaj efektivëve.
Ajo që vihet re është se veprimet e dhunshme të mbrëmjes së sotme mbeten episode të shkëputura dhe nuk kanë arritur shkallën e agresivitetit të regjistruar gjatë ditëve të para të protestës.
/rtsh.al/