Friday, 24. April 2026
Sport

Italia refuzon ofertën e Trumpit për ta zëvendësuar Iranin në Kupën e Botës: Nuk është e përshtatshme, duhet të kualifikohesh në fushë

GS 23/04/2026 3 Min. Lesezeit

Italia nuk duhet të përfitojë një “shans të dytë” për të marrë pjesë në Kupën e Botës, deklaroi ministri italian i Sportit, Andrea Abodi, duke hedhur poshtë idenë e Presidentit amerikan Donald Trump, që “Azzurrët” të zëvendësojnë Iranin në turneun e kësaj vere në Amerikën e Veriut.“Një mundësi e dytë për Italinë në Botëror? Nuk është e përshtatshme; duhet të kualifikohesh në fushë”,

 u shpreh Abodi të enjten, duke komentuar raportimet se i dërguari special i SHBA-së, Paolo Zampolli, i kishte kërkuar FIFA-s të përfshinte Italinë në vend të Iranit.

Reagime të forta erdhën edhe nga pala iraniane. Ambasada e Iranit në Romë deklaroi në rrjetin X se “futbolli i përket njerëzve, jo politikanëve”, duke kritikuar SHBA-në për përpjekjen për të përjashtuar Iranin nga turneu. Sipas tyre, kjo lëvizje “tregon vetëm ‘falimentimin moral’ të Shteteve të Bashkuara, që i tremben pranisë së 11 lojtarëve të rinj iranianë në fushë”.

Megjithatë, vetë kombëtarja iraniane ka qenë në qendër të polemikave të brendshme, pasi përjashtoi sulmuesin Sardar Azmoun, pas kritikave të tij ndaj regjimit në Teheran.

Pjesëmarrja e Iranit në Botëror është vënë në dyshim për shkak të luftës së vazhdueshme në Lindjen e Mesme, por presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka qenë i prerë në qëndrimin e tij. Në mesin e prillit ai deklaroi se kombëtarja iraniane “duhet të vijë” në kompeticion.

Nga ana sportive, Italia mbetet jashtë Kupës së Botës për herë të tretë radhazi, pasi u eliminua me penallti nga Bosnja dhe Hercegovina në “play-off”. Paraqitja e fundit e italianëve në një Botëror daton në vitin 2014 në Brazil. Situata ka marrë edhe ngjyrime politike, duke çuar deri në dorëheqjen e presidentit të Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina.

Pavarësisht zhgënjimit të madh, zyrtarët italianë kanë refuzuar kategorikisht çdo ide për një “hyrje nga dera e pasme” në turne. Presidenti i Komitetit Olimpik Italian, Luciano Buonfiglio, theksoi se një skenar i tillë nuk është as i mundur dhe as i pranueshëm. “Do të ndihesha i fyer. Për të shkuar në Botëror, duhet ta meritosh,” deklaroi ai.

Edhe ministri i Ekonomisë, Giancarlo Giorgetti, reagoi ashpër: “E lexova lajmin që i dërguari i Trump e ka kërkuar një gjë të tillë. E konsideroj të turpshme. Do të ndihesha i turpëruar.”

Teilen: