Wednesday, 29. April 2026
Sport

Bashkimi – Bora, “akti i tretë” gjysmëfinal

GS 29/04/2026 2 Min. Lesezeit

Sot, në mbrëmje zhvillohet ndeshja e tretë e serisë gjysmëfinale të “play-offit” në Superligën e Kosovës në basketboll ndërmjet Bashkimit dhe Borës.

Ndeshja luhet në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, me fillim nga ora 19:30 dhe skuadra që shënon fitore, do të bëjë një hap drejt kualifikimit në finale.

Pas dy ndeshjeve të luajtura javën e shkuar në këtë seri gjysmëfinale, rezultati i përgjithshëm është 1:1, me Bashkimin që e fitoi ndeshjen e parë dhe Borën që triumfoi në të dytën.

Të dy ndeshjet e para, në Prizren dhe Prishtinë, ishin të forta dhe thuajse të barabarta pasi u vendosën në aksionet e fundit.

Skuadra që regjistron tri fitore në këtë seri, do të avancojë në finale të “play-offit”, kështu që, si Bashkimi ashtu edhe Bora, shpresojnë që sonte ta bëjnë hapin e madh.

Bora po paraqitet për herë të para në garat e “play-offit” të Superligës dhe në gjysmëfinale avancoi pasi në serinë çerekfinale eliminoi Sigal Prishtinën.

Ndërkohë, Bashkimi është kualifikuar direkt në gjysmëfinale pasi pjesën e rregullt të stinorit e ka mbyllur në pozitën e dytë në tabelë.

Teilen: