Legjenda holandeze e futbollit, në komentin e tij për dështimin e kombëtares “axurre”, pohon se asaj i mungojnë yjet.
Marco Van Basten ka një ide shumë të qartë për krizën e futbollit italian. Ish-ylli i Milanit dhe Holandës, i intervistuar nga Carlo Pellegatti në promovimin e librit të ri “50 ndeshje, emocione të pambarimta, Milan”, ka kritikuar pronarët aktualë të klubit kuqezi.
Van Basten i sheh pronarët e huaj të klubeve si pengesën kryesore në Serie A: “Aktualisht ka shumë pronarë të huaj klubesh në Itali. Ata nuk kanë të bëjnë fare me historinë e klubeve, interesohen vetëm për veten. Do të ishte shumë i rëndësishëm rikthimi i futbollit italian në duart e italianëve, që të kthehet më pas në majën e Europës”.
Dhe si shembull holandezi merr Milanin e tij, me të cilin ka fituar “Topin e Artë” në 1988-ën: “Një shembull është Milani, që nuk është më ai që ishte. E ndjek dhe shpresoj ta marrë veten shpejt, sepse sot Interi dominon Italinë dhe kjo gjë nuk më pëlqen fare”.
Për kombëtaren e Italisë, Van Basten u shpreh: “E kam parë Italinë, tani i mungojnë yjet. Italia ka pasur gjithmonë një portier të madh, një mbrojtës të madh, një mesfushor të madh, një sulmues të madh. Sot për sot është e vështirë t’i shohësh, është e çuditshme. Dikur futbolli italian komandonte botën, sot nuk është kështu. Në Botëror bëj tifo për Holandën, por nuk pres shumë gjëra. Atëherë do të bëj tifo për Brazilin e Carlo Ancelotti-t”.