Wednesday, 6. May 2026
Sport

Drejtori teknik i FSHF-së, Abdyl Kuriu: Të zhvillojmë futbollin e bazës!

GS 06/05/2026 2 Min. Lesezeit

Pas marrjes së detyrës si Drejtor Teknik i FSHF-së, Abdyl Kuriu ka nisur menjëherë punën për vijimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të kësaj drejtorie.

Me eksperiencën e tij të gjatë në Federatë, si anëtar i Komitetit Ekzekutiv, ai synon të çojë përpara projektet ekzistuese dhe të rrisë fokusin te futbolli i bazës, zhvillimi i talenteve dhe forcimi i ekipeve kombëtare.

Në një intervistë për fshf.org, Kuriu ndan vlerësimin për besimin e dhënë, flet për prioritetet e para në detyrë dhe ndalet te drejtimet kryesore të punës së Drejtorisë Teknike, nga akademia “Elite Youth” te futbolli i vajzave.

Roli si Drejtor Teknik i FSHF-së – Ndihem shumë i vlerësuar dhe për këtë do të falënderoja shumë Presidentin e FSHF-së, Armand Duka sepse vlerësoi figurën dhe punën time përgjatë gjithë kohës që kemi qenë në Federatë së bashku, duke më besuar drejtimin e Drejtorisë Teknike.

Përgjegjësitë e Drejtorisë Teknike dhe vijimi i punëve – Drejtoria Teknike ka një gamë të gjerë aktivitetesh, por unë gjykoj që prioritet në startin e punës time ka qenë puna për futbollin e bazës, masivizimi dhe gjetja e talenteve.

Akademia “Elite Youth” është një bashkëpunim i FSHF-së me UEFA-n, një bashkëpunim shumë i mirë, deri tani ka shkuar shumë mirë dhe ne pretendojmë ta çojmë në një nivel më të lartë sepse e konsiderojmë si një burim shumë të mirë për talentet e së ardhmes, që do na shërbejnë në ekipet kombëtare të moshave dhe në vijim.

Puna me ekipet kombëtare – Mendoj se ekipet kombëtare të moshave janë në rrugë të mbarë, kanë punuar mirë dhe mendoj se kjo punë duhet të vijojë dhe të ngrihet në një nivel edhe më të lartë sepse ne kemi pretendimet tona që nëpërmjet ekipeve kombëtare të moshave, nesër të furnizojmë me talente ekipin kombëtar A.

Futbolli i vajzave – Ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë në fokusin e punës tonë. Do të vijojmë projektet që kanë nisur dhe janë në vijim.

Teilen: