Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti, është emëruar kryesues i komisionit koordinues për Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj (EYOF) Lignano Sabbiadoro 2027.
Aliti ka qëndruar këtë javë në Itali, ku ka vëzhguar nga afër procesin e përgatitjeve për organizimin e një prej ngjarjeve më të mëdha shumësportëshe për të rinj në Evropë. EYOF Lignano Sabbiadoro 2027 do të mbahet nga 24 korrik deri më 1 gusht 2027, me pjesëmarrjen e 14 sporteve dhe 48 shteteve.
Kjo është hera e parë në historinë e sportit kosovar që një zyrtar nga vendi emërohet kryesues i një komisioni organizativ për një ngjarje të tillë ndërkombëtare.
Si kryesues i komisionit, Aliti është ftuar të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Olimpik Evropian, ku do të raportojë mbi progresin e përgatitjeve për EYOF 2027.
Asambleja do të mbahet më 12 dhe 13 qershor në Budapest të Hungarisë, ndërsa për herë të parë në të do të marrë pjesë edhe presidentja e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Kirsty Coventry.
Ky rol udhëheqës i Alitit vlerësohet si dëshmi e besimit të Komitetit Olimpik Evropian ndaj kapaciteteve organizative të Kosovës dhe forcimit të pozitës së saj në skenën ndërkombëtare të sportit.
Aliti ka qenë edhe më herët pjesë e komisioneve koordinuese të EYOF-ve dhe aktualisht është anëtar i komisionit koordinues për Lojërat Mesdhetare Taranto 2026 në kuadër të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.