Friday, 8. May 2026
Sport

Drita mund të shpallet kampione të shtunën, nëse e mposht Ballkanin

GS 08/05/2026 2 Min. Lesezeit

Katër xhiro para fundit të kampionatit në Superligën e Kosovës në futboll, gara për titull mund të vendoset në këtë fundjavë, me derbin e dy ekipeve të para, në program.

Drita kampione, e pret në Gjilan, Ballkanin, në derbin e javës së 33-të, në duelin direkt për titull kampioni, ndërmjet të parit e të dytit në tabelë.

Gjilanasit udhëheqin Superligën me 63 pikë, tetë më shumë se skuadra nga Suhareka dhe në rast të fitores të shtunën, mund ta fitojnë titullin e kampionit.
Kjo pasi skuadra e Dritës, do të kishte 11 pikë më shumë se Ballkani, kur do të mbeteshin vetëm edhe tri xhiro apo nëntë pikë në lojë.

Drita është në seri prej tri fitoreve rresht në ligë, ndërsa në tetë duelet e fundit i ka fituar shtatë. Por kundër Ballkanit në këtë edicion nuk ka fituar asnjë ndeshje. Tri herë janë takuar gjatë këtij edicioni Drita e Ballkani, por suharekasit i kanë fituar të tri duelet.

Derbi i javës së 33-të, luhet të shtunën, duke filluar nga ora 16:00 në Gjilan.

Ndeshjet e tjera të kësaj jave janë kryesisht të rëndësisë për mbetje në elitë dhe sigurimi i barazhit. Të shtunën, Drenica e cila zë vendin e shtatë me 41 pikë, e pret Gjilanin në Skenderaj, me gjilanasit që kanë pak gjasa për Evropë.

Të dielën, Ferizaj i parafundit i bën konak Malishevës, ndërsa Llapi luan duelin direkt për mbijetesë ndaj Dukagjinit në Podujevë.

 

Teilen: