Sipas disa burimeve në Itali, e ardhmja e trajnerit Massimiliano Allegri dhe drejtorit sportiv Igli Tare te AC Milan mbetet e pasigurt, pavarësisht nëse skuadra siguron apo jo kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
Raportimet në mediat italiane sugjerojnë se klubi kuqezi mund të përballet me një tjetër verë ndryshimesh të mëdha. Sipas ekspertit të Milanit, Carlo Pellegatti, Allegri mund të mos vazhdojë në “San Siro” për shkak të marrëdhënieve të tensionuara me CEO-n e klubit, Giorgio Furlani.
Kontrata e Allegrit është e vlefshme deri në qershor 2027, por përfshin një klauzolë zgjatjeje automatike deri në vitin 2028 në rast se Milani kualifikohet në Ligën e Kampionëve këtë sezon. Megjithatë, sipas raportimeve të Calciomercato.com, raportet e ftohta me drejtuesit mund të çojnë në ndarje, edhe nëse objektivat sportive përmbushen.
Thuhet gjithashtu se Allegri dhe Furlani kanë zhvilluar disa takime javët e fundit për planifikimin afatgjatë të klubit, por palët ende nuk ndajnë të njëjtin vizion për të ardhmen.
Ndërkohë, Tuttomercatoweb raporton se edhe Igli Tare është nën vëzhgim, pasi investimet e verës së kaluar nuk kanë dhënë rezultatet e pritura, sidomos në rastet e lojtarëve si Christopher Nkunku dhe Ardon Jashari.
Po ashtu, drejtori sportiv i Atalanta BC, Tony D’Amico, mbetet një alternativë e mundshme për Milanin, megjithëse klubi bergamask nuk është i gatshëm të ndahet lehtë me të.