Real Madrid CF ka konfirmuar se ka gjobitur me nga 500 mijë euro secilin lojtarët Federico Valverde dhe Aurélien Tchouaméni, pas incidentit fizik që ndodhi në dhomën e zhveshjes së skuadrës.
Sipas raportimeve, gjatë përplasjes Valverde goditi kokën në një tavolinë, duke pësuar traumë në kokë dhe humbje të përkohshme të kujtesës për disa ngjarje. Mesfushori uruguaian pritet të mungojë për disa javë deri në rikuperimin e plotë.
Në komunikatën zyrtare, klubi madrilen bëri të ditur se të dy lojtarët kanë kërkuar falje për sjelljen e tyre dhe kanë pranuar dënimin e vendosur nga klubi.
“Real Madrid CF njofton se, pas ngjarjeve që çuan dje në hapjen e procedurave disiplinore ndaj lojtarëve tanë Federico Valverde dhe Aurélien Tchouaméni, të dy janë paraqitur sot para oficerit hetues.
Gjatë paraqitjes së tyre, lojtarët shprehën keqardhjen e sinqertë për atë që ndodhi dhe i kërkuan falje njëri-tjetrit.
Po ashtu, ata kërkuan falje ndaj klubit, bashkëlojtarëve, stafit teknik dhe tifozëve, duke ofruar bashkëpunim të plotë dhe duke pranuar çdo vendim disiplinor që klubi e konsideron të përshtatshëm.
Në dritën e këtyre rrethanave, Real Madridi ka vendosur t’i gjobisë të dy lojtarët me nga 500 mijë euro, duke mbyllur kështu procedurat e brendshme disiplinore”, thuhet në deklaratë.
Ndërkohë, mbetet të shihet nëse Tchouaméni do të jetë i gatshëm për ndeshjen e madhe ndaj FC Barcelona në “El Clasico”.