Trajneri i Real Madrid, Alvaro Arbeloa, ka shprehur pakënaqësinë e tij për rrjedhjen e informacioneve nga brenda klubit, pas incidentit të raportuar mes Federico Valverde dhe Aurelien Tchouameni gjatë stërvitjes.
Sipas raportimeve, dy mesfushorët u përplasën për dy ditë radhazi në seancat stërvitore, ndërsa situata eskaloi në kontakt fizik, ku Valverde mbeti edhe i gjakosur. Arbeloa nuk e justifikoi sjelljen e lojtarëve, por theksoi se gabime të tilla ndodhin në futboll, duke përmendur si shembull legjendën e klubit, Juanito.
Megjithatë, ajo që e shqetëson më shumë teknikun spanjoll është fakti që ngjarja u bë publike nga dikush brenda klubit.
“Fakti që gjërat që ndodhin në dhomat e zhveshjes publikohen duket si një tradhti ndaj Real Madridit, një akt mosbesnikërie dhe kjo më trishton shumë”, deklaroi Arbeloa.
I pyetur për mundësinë e ekzistencës së një “spiuni” brenda ekipit, trajneri u përgjigj me diplomaci.
“Jo, unë nuk punoj për CIA-n. Nuk akuzoj lojtarët apo askënd tjetër, sepse nuk kam prova. Ka shumë njerëz rreth Real Madridit dhe nuk mund të fajësoj askënd. Ajo që diskutoj me lojtarët e mi duhet të mbetet mes nesh”, përfundoi Arbeloa.