Saturday, 9. May 2026
Sport

Drita e mbron titullin e kampiones së Kosovës në futboll

GS 09/05/2026 2 Min. Lesezeit

Drita e ka mbrojtur titullin në Superligën e Kosovës në futboll.

Të shtunën në terrenin me bar sintetik në Gjilan, Drita fitoi 2:0 ndaj Ballkanit dhe e siguroi titullin e pestë në histori të klubit, tri xhiro pa u mbyllur kampionati. Golat e fitores i shënuan Besnik Krasniqi dhe Abdoul Karim Dante. 

Ballkani ishte në garë të fortë me Dritën deri para disa xhirove. Por, disfata në xhiron e kaluar nga Llapi në Suharekë dhe fitorja e Dritës ndaj Prishtinës së Re, e bëri diferencën e madhe. 

Drita e fitoi titullin me 66 pikë, me 11 më shumë se Ballkani i pozitës së dytë. 

Drita titullin e parë e fitoi në edicionin 2002/03. Më pas triumfoi edhe në edicionet  2017/18, 2019/20 dhe 2024/25.

Titullin e pestë në Superligën e Kosovës e fitoi edhe trajneri Zekirija Ramadani. Ai ka triumfuar më herët me Trepçën ’89, Feronikelin, Prishtinën dhe dy here me Dritën. 

Drita dhe Ballkani i kanë dominuar pesë edicionet e fundit në elitën e futbollit kosovar. 

Suharekasit e fituan tri herë rresht titullin në Superligën e Kosovës, në edicionet 2021/22, 2022/23 dhe 2023/24. Më pas, dy tituj rresht i fitoi edhe Drita. 

Drita do të garojë në fazën e parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve si kampione.

Teilen: