Sipas “Diario AS”, Federico Valverde po kalon periudhën më të vështirë të karrierës së tij te Real Madridi, pas përplasjes me Aurelien Tchouamenin, kërkimit të faljes që pasoi dhe ndëshkimit nga klubi
.
Mediumi spanjoll me burime pranë klubit raporton se frustrimi i një sezoni të komplikuar e shtyu uruguaianin “përtej kufirit”.
Gjatë debatit në Valdebebas, Valverde raportohet se ka thënë se “nuk do të luajë më kurrë për Real Madridin”, duke e ndjerë se situata ishte bërë e padurueshme.
Sipas të njëjtit raport, tronditja e asaj që ndodhi e goditi plotësisht vetëm pasi ai u kthye në shtëpi nga spitali, ndërsa ka pranuar edhe gjobën prej 500 mijë eurosh, të vendosur ndaj të dy lojtarëve.
Megjithatë, raporti thekson se përkushtimi i Valverdes ndaj klubit nuk ka ndryshuar.
Ai po mbështetet te familja, ndërsa bashkëshortja e tij, Mina Bonino, e ka mbrojtur publikisht në rrjetet sociale, duke reaguar ndaj kritikave.
Ndërkohë, Valverde pritet të mungojë rreth 10 deri në 14 ditë, pasi – sipas raportit mjekësor të klubit – është diagnostikuar me traumë në tru. Kjo do të thotë se ai do ta shohë fundin e sezonit nga tribuna, pa u rikthyer menjëherë në fushë.
Real Madridi i ka ndëshkuar tashmë Valverden dhe Tchouamenin me gjoba pas një hetimi të brendshëm, ndërsa të dy futbollistët kanë kërkuar falje ndaj njëri-tjetrit.