Seria e finaleve të plejofit të elitës së basketbollit kosovar mes Trepçës dhe Bashkimit, do të nis sot në mbrëmje në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.
Ndeshjet e finaleve do të luhen të dielën dhe të mërkurën, nga ora 19:30. Në fakt, Trepça dy ndeshjet e para të kësaj serie i luan në Mitrovicë, pastaj Bashkimi duelin e tretë dhe të katërt e luan në Prizren, përpara se seria të kthehet me nga një ndeshje.
Skuadra që i shënon katër fitore do të shpallet kampion i edicionit aktual.
Të dyja skuadrat luajtën në finale edhe në sezonin e kaluar. Trepça e fitoi serinë finale me rezultatin 4:2.
Në gjysmëfinale, Trepça e eliminoi Pejën, derisa Bashkimi fitoi ndaj Borës.
Mitrovicasit kanë dominuar në basketbollin kosovar në vitet e fundit dhe vlerësohen favorit.
Stinorin e rregullt, Trepça e mbylli në vendin e parë dhe do të jetë vendëse edhe në ndeshjen e shtatë eventuale. Bashkimi e përfundoi stinorin e rregullt në pozitën e dytë.