Chelsea po shqyrton seriozisht mundësinë për ta emëruar Xabi Alonson si trajner të ri të skuadrës, në kuadër të planeve për nisjen e një epoke të re në “Stamford Bridge”.
Sipas raportimeve të “Flashscore”, drejtuesit londinezë tashmë kanë zhvilluar bisedime fillestare me trajnerin spanjoll, i cili konsiderohet si një nga favoritët kryesorë për këtë post. Alonso raportohet se është i hapur ndaj mundësisë për të punuar në Premier League, por dëshiron më shumë qartësi lidhur me ndikimin dhe kontrollin që do të kishte në projektin sportiv të klubit.
Në listën e Chelseat përmendet edhe Cesc Fàbregas, ndërsa drejtuesit sportivë Paul Winstanley dhe Laurence Stewart po udhëheqin procesin e përzgjedhjes së trajnerit të ri. Raporti thekson se klubi dëshiron “të ndërtojë një identitet të qartë dhe të rikthejë besimin e tifozëve”, pas një sezoni zhgënjyes që ka sjellë pakënaqësi të madhe te mbështetësit.
“Chelsea do të donte ta kishte trajnerin e ri të emëruar para nisjes së Kupës së Botës”, thuhet në raport, ndërsa klubi mbetet i shqetësuar edhe për vështirësitë që mund të hasë në merkato në rast se dështon të sigurojë pjesëmarrjen në garat evropiane.