Tuesday, 12. May 2026
Futboll

Florentino Perez mohon dorëheqjen dhe shpall zgjedhje të reja te Real Madrid

GS 12/05/2026 3 Min. Lesezeit

Presidenti i Real Madrid, Florentino Perez, ka mohuar zërat për dorëheqje dhe ka njoftuar shpalljen e zgjedhjeve të reja në klub, tri vjet para përfundimit të mandatit të tij aktual.

Klubi madrilen njoftoi të martën pasdite se Perez do të paraqitej në një konferencë për media pas mbledhjes së bordit drejtues, pa bërë të ditur paraprakisht arsyen e daljes së tij para gazetarëve.

Gjatë konferencës, Perez reagoi ashpër ndaj raportimeve për largimin e tij nga drejtimi i klubit.

“Unë nuk do të jap dorëheqje, po thërras zgjedhje. Ka fushata kundër meje. Por unë jam ende këtu dhe jam president. Njerëzit thanë se kam kancer, kjo është krejt e sajuar. Nuk jam i lodhur”, deklaroi Perez.

Ai sulmoi edhe mediat spanjolle, duke përmendur konkretisht gazetën ABC dhe artikujt që, sipas tij, kanë përhapur informacione të pavërteta për gjendjen e tij dhe situatën në klub.

“ABC ka shkruar se jam i lodhur… si mund ta thoni këtë? A është ky gazetar këtu?”, u shpreh ai.

Perez theksoi se vazhdon të punojë me intensitet maksimal dhe rikujtoi sukseset e arritura gjatë presidencës së tij.

“Unë punoj ditë e natë si kafshë. Me mua president, kemi fituar 76 tituj. Ndoshta duhet t’jua kujtoj. Po, këtë vit s’kemi fituar asgjë, por mos harroni”, deklaroi ai.

Presidenti madrilen bëri të ditur se bordi aktual do të kandidojë sërish në zgjedhjet e reja dhe sfidoi hapur kritikët që të garojnë kundër tij.

“Po thërras zgjedhje të reja për bordin, dhe ky bord, me mua në krye, do të garojë në këto zgjedhje. Kushdo që po na kritikon dhe po i shpërndan këto thashetheme për mua, mund të garojë kundër meje”, tha Perez.

Ai mohoi gjithashtu pretendimet për krizë brenda klubit, duke insistuar se po krijohet një narrativë e rreme për kaos në Real Madrid.

“Po thonë se Real Madridi është në rrëmujë, se është kaos, se është katastrofë. Janë të gjitha gënjeshtra. Ky është klubi më prestigjioz në botë”, theksoi ai.

Në fund, Perez deklaroi se zgjedhjet po organizohen për të mbrojtur interesat e anëtarëve të klubit dhe se nuk ka ndërmend të largohet nga drejtimi.

“Do të organizoj zgjedhje për të mbrojtur interesat e anëtarëve të Real Madridit. Nuk do të më frikësojnë. Madje, më japin shumë energji”, përfundoi presidenti madrilen.

Teilen: