Friday, 15. May 2026
Sport

Dhjetë vjet më parë bota zbulonte Max Verstappen, holandezin 4 herë kampion bote

GS 15/05/2026 2 Min. Lesezeit

Debutimi në Çmimin e Madh të Barcelonës i parapriu një karriere të jashtëzakonshme. Niki Lauda e ka quajtur “pilotin e shekullit”.

Saktësisht 10 vjet më parë, më 15 maj 2016, bota e Formulës 1 asistonte në një event, që do të shkruante historinë e këtij sporti. Në cirkuitin e Barcelonës, një djalosh 18-vjeçar debutonte në timonin e një Red Bull-i dhe fitonte, duke mbajtur kryesimin me nerva të çelikta ndaj një veterani si Kimi Raikkonen.

Atë ditë, Max Verstappen jo vetëm që u bë piloti më i ri në moshë që fitonte një garë, – një rekord ende i pathyer, – por detyronte një legjendë si Niki Lauda që t’i “hiqte kapelen” dhe ta quante “talentin e shekullit”.

Pas atij debutimi mbresëlënës ishte një punë e madhe. Jos Verstappen i imponohej që të ushtrohej nën rebesh derisa të humbiste ndjeshmërinë e gishtave dhe i ndalonte parakalimet në linjë të drejtë për ta detyruar të gjente manovra në çdo kthesë. Metoda ekstreme, që e bënë Max-in të kishte një maturi agonistike të paimagjinueshme për çdo moshatar të tij. Shpejt Verstappen u bë një pikë referimi edhe për kolegët.

Gati 29 vjeç dhe pas 4 titujsh kampion bote, Max Verstappen përfaqëson sot një paradoks tërheqës. Ai që u bë emblemë e të riut që ecën përpara, sot bën pilotin e kohës së dikurshme. Pjesëmarrja e holandezit në 24 Orë të Nurburgring është prova e një dashurie për garat, që i kalon kufijtë e Formulës 1, titujt e fituar dhe llogarinë në bankë.

Ne epokën e pilotëve të ultraspecializuar, Verstappen mbetet një sportist trasversal, ndërsa pasioni i pastër e bën atë të jashtëzakonshëm.

Teilen: