Sunday, 18. October 2026
Sport

Ermal Hadribeaj pëson humbjen e parë në karrierë, nokautohet në sekondën e fundit

GS 18/10/2026 2 Min. Lesezeit

Ermal Hadribeaj e ka pësuar humbjen e parë në karrierën e tij si boksier profesionist, pasi u nokautua nga amerikani Sebastian Fundora në sekondën e fundit të raundit të 12-të.
Meçi u zhvillua në orët e para të së dielës në Las Vegas, ku në lojë ishte titulli i botës në versionin WBC, në kategorinë super të mesme të lehtë (super uelter).

Fundora arriti ta mbrojë titullin e tij, duke e mposhtur Hadribeajn pas një përballjeje të vështirë, e cila u vendos në momentet e fundit.

Boksieri amerikan, i cili ka epërsi të dukshme në gjatësi ndaj shqiptarit, ishte përpara edhe në pikë. Megjithatë, ai e rriti ritmin në raundin e fundit, duke shfrytëzuar lodhjen e kundërshtarit dhe duke e mbyllur meçin me nokaut dramatik.

“Më pëlqen fakti që e nokautova në sekondën e fundit. Ishte dramatike”, deklaroi Fundora pas fitores.

Ai tregoi se e kuptoi se mund ta përfundonte meçin kur pa se Hadribeaj u trondit nga një goditje me të majtën.

“Kur e pashë se ai pothuajse u rrëzua pas një goditjeje me të majtën, i thashë vetes që ta godas sërish”, shtoi amerikani.

Hadribeaj, 32-vjeçar nga Tirana, i cili jeton dhe bokson në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u përpoq gjatë gjithë meçit t’i afrohej Fundorës për ta neutralizuar epërsinë e tij fizike.

Shqiptari pati momentet e veta të mira, veçanërisht në raundin e nëntë, kur reagoi ndaj kundërshtarit. Megjithatë, Fundora arriti t’i përballonte këto momente dhe të rikthente kontrollin e duelit.

Hadribeajt iu zbritën pikë në raundin e tretë dhe të 11-të për mbajtje të kundërshtarit, ndërsa në fund lodhja rezultoi vendimtare.

Pas kësaj humbjeje, Hadribeaj mbetet me 23 fitore në karrierën profesioniste, tetë prej tyre me ndërprerje, ndërsa Fundora ka bilanc prej 25 fitoresh dhe një humbjeje.

Për boksierin shqiptar, kjo ishte goditja e parë në një karrierë që deri më tani ishte zhvilluar pa humbje, ndërsa Fundora vazhdon të mbajë titullin e botës në versionin WBC.

Teilen: