Një 30-vjeçar nga Durrësi është arrestuar në flagrancë në Dibër, pasi u kap duke transportuar me taksi dy armë zjarri dhe municion luftarak. Operacioni policor u kodua “Taksia”, ndërsa armët u sekuestruan si prova materiale.
Sipas njoftimit të Policisë, arrestimi u krye nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Seksionin Operacional të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër.
Gjatë kontrollit të automjetit taksi, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Bllatës”, efektivët gjetën në sediljen e pasme një armë zjarri kallashnikov me 13 fishekë, si dhe një pistoletë me një fishek në fole dhe një tjetër në krehër.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 30-vjeçari, me inicialet A. T., i kishte marrë armët në zonën e Tufinës, në Tiranë, me qëllim transportimin e tyre drejt Maqedonisë së Veriut, nëpërmjet kufirit të gjelbër.
Armët e zjarrit dhe municioni luftarak u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/