Jose Mourinho ka shtyrë çdo vendim për të ardhmen e tij deri në përfundim të sezonit, duke refuzuar madje edhe të shqyrtojë ofertën e re për rinovim nga Benfica.
Trajneri portugez, kontrata aktuale e të cilit skadon në qershor të vitit 2027, ka konfirmuar se do të vendosë vetëm pas ndeshjes së fundit të kampionatit, në një periudhë kur spekulimet për një rikthim të mundshëm te Real Madrid po marrin gjithnjë e më shumë hov.
Raportimet nga Spanja sugjerojnë se Mourinho konsiderohet kandidati kryesor për të marrë drejtimin e “Los Blancos” në rast të largimit të Alvaro Arbeloas, ndërsa heshtja e tij për ofertën e Benficas vetëm sa ka shtuar dyshimet mbi të ardhmen.
Në konferencën për shtyp para sfidës ndaj Estorilit, “The Special One” pranoi se kishte marrë një ofertë zyrtare nga drejtuesit e klubit portugez, por nuk kishte pranuar as ta shihte atë.
Ai shtoi se drejtuesit e klubit nuk kishin ushtruar presion mbi të për një përgjigje të menjëhershme, ndërsa konfirmoi se marrëveshja e tij aktuale parashikon një periudhë reflektimi në fund të sezonit.
Deklaratat e Mourinhos vijnë në një moment kritik të sezonit dhe pritet që ditët në vijim të jenë vendimtare për të ardhmen e tij, me Real Madridin që vazhdon ta monitorojë situatën nga afër.