Tuesday, 19. May 2026
Futboll

Vitinha: Duam ta fitojmë Botërorin për Ronaldon

GS 19/05/2026 2 Min. Lesezeit

Mesfushori portugez Vitinha ka vlerësuar ndikimin e jashtëzakonshëm që Cristiano Ronaldo vazhdon të ketë te Kombëtarja e Portugalisë, duke theksuar se e gjithë skuadra ëndërron ta fitojë Kupën e Botës 2026 së bashku me kapitenin legjendar.

Në një intervistë për faqen zyrtare të FIFA-s, Vitinha foli me admirim për Ronaldon, duke e cilësuar si një frymëzim të përditshëm për ekipin, pavarësisht faktit se ylli portugez po i afrohet fundit të karrierës së tij.

Edhe pse aktualisht aktivizohet te Al Nassr në Arabinë Saudite, Ronaldo mbetet figura kryesore e Portugalisë dhe lideri që vazhdon të motivojë skuadrën në prag të Botërorit që do të zhvillohet në Amerikën e Veriut.

“Cristiano është një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e futbollit. Është privilegj të ndajmë dhomën e zhveshjes me të, të mësojmë çdo ditë nga profesionalizmi dhe përkushtimi i tij. Shpresojmë ta fitojmë Kupën e Botës bashkë me të dhe për të”, deklaroi Vitinha.

Mesfushori i Portugalisë nënvizoi se sekreti i suksesit të Ronaldos qëndron te puna dhe serioziteti maksimal në çdo detaj.

“Ai nuk lë asgjë rastësisë. Gjithmonë përgatitet në mënyrë perfekte dhe futet në fushë duke ditur se ka bërë maksimumin për ekipin. Profesionalizmi i tij është unik”, shtoi ai.

Vitinha pranoi se Portugalia ka ambicie të mëdha për Botërorin 2026, por theksoi se skuadra duhet të ecë hap pas hapi dhe të mos mendojë menjëherë për trofeun.

“Ne duam vetëm fitore. E dimë se rruga do të jetë shumë e vështirë, ndaj duhet të fokusohemi fillimisht te faza e grupeve. Vetëm pasi të bëjmë mirë aty, mund të mendojmë për fazat tjera”, u shpreh portugezi.

Portugalia do të mbështetet te kombinimi i brezit të ri të talentuar me eksperiencën dhe lidershipin e Ronaldos, ndërsa trajneri Roberto Martinez pritet të publikojë së shpejti listën përfundimtare të lojtarëve për Kupën e Botës 2026.

Në turneun që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, Portugalia bën pjesë në Grupin K së bashku me RD Kongon, Uzbekistanin dhe Kolumbinë.

Teilen: