Barcelona ka marrë fitoren e nëntë rresht në La Liga, duke fituar 2-5 në transfertën ndaj Betis. Katalanasit kaluan të parët në avantazh me Lamine Yamal, që në minutën e 10-të.
19-vjeçari tregoi edhe njëherë tjetër gjithë klasin e tij, duek shënuar një tjetër gol spektakolar me një goditje të magjishme me të majtën në kufijtë e zonës së rreptësisë.
Në minutën e 27-të, Betis barazon përkohësisht shifrat me Valentin Gomez, i cili shënoi me kokë, pas një krosimi në zonë të Balo Fornals. Në minutën e 41-të, Rodri shënon golin e parë me fanellën e Barcelonës. Mesfushori shënon me kokë, pas krosimit të Fermin Lopez nga goditja e këndit.
Reagimi i andaluzianëve ishte i menjëhershëm duke barazuar shifrat në minutën e 43-të, me golin spektakolar të Giovani Lo Celso, i cili shënoi me një goditje të jashtëzakonshme nga distanca. Por, ndërhyn VAR dhe goli anullohet për një prekje me dorë gjatë aksionit. Vendimi i VAR-it dhe arbitrit për anullimin e golit, shkakton pakënaqësi të shumta te vendasit. Pjesa e parë mbyllet 1-2 për katalanasit.
Katalanasit e nisin me gol pjesën e dytë. Një aksion fantastik i nisur nga Fermin Lopez, edhe pse vendasit në fakt pretenduan për një faull gjatë aksionit dhe asistit të Yamal, ishte Gabriel Jesus i cili dërgoi topin në rrjetë, në minutën e 51-të, duke i dhënë avantazhin 1-3 Barcelonës.
Vendasit nuk dorëzohen dhe shënojnë golin e dytë me Abde Ezzalzouli, pas një kundërsulmi të shpejtë dhe asistit të Lo Celso. Gjërat për Betis vëshitrësohen në minutën e 56-të, ku Facundo Bernal ndëshkohet me karton të kuq, pas përleshjes me Lamine Yamal.
Në minutën e 62-të, Barcelona gjen golin e katërt me Eric Garcia, i cili shënoi pas një goditjeje dënimi të Dani Olmo, të devijuar dhe gabimit të portierit vendas Alvaro Valles. Asist final ishte nga Pau Cubarsi.
Në minutën e 81-të, Dani Olmo vulos fitoren e Barcelonës, me golin e tij nga distanca. Barcelona fiton 2-5 dhe kryeson renditjen e vetme me 27 pikë.