Federata e Futbollit do të mirëpresë gjatë muajit qershor një tjetër aktivitet zyrtar të UEFA. Raundi i dytë i ndeshjeve të Shqipërisë U-17 do të zhvillohet në vendin tonë, nën organizimin e FSHF-së dhe UEFA-s.
Kuqezinjtë janë shortuar në Grupin B6, së bashku me Letoninë U-17 dhe Ukrainën U-17, ndërsa ndeshjet do të luhen në datat 3, 6 dhe 9 qershor në “Egnatia Arena”.
Këto përballje kanë një rëndësi të veçantë, pasi vlejnë për renditjen që përcakton pozicionimin e ekipeve në kualifikueset e ardhshme të Kampionatit Europian U-19 2028. Konkretisht, sipas rregullores së UEFA-s, skuadrat që renditen të parat në grupet e Ligës B sigurojnë ngjitjen në Ligën A për raundin e parë të kualifikueseve të Europianit U-19.
Ky raund lidhet drejtpërdrejt me të njëjtën gjeneratë lojtarësh, pasi bëhet fjalë për futbollistët e të njëjtit vitlindje që aktualisht luajnë me ekipin U-17 dhe që më pas do të kalojnë në ekipin U-19.
Në këtë kuadër, një vend i parë në grup për Shqipërinë do t’i jepte kuqezinjve mundësinë të garojnë mes ekipeve më të forta europiane në ciklin kualifikues të Euro U-19 2028.