Monday, 25. May 2026
Futboll

Milan shkatërron sezonin, mbetet jashtë Champions-it. Roma bën detyrën, Como shkruan historinë (video)

GS 24/05/2026 2 Min. Lesezeit

Milan ka shkatërruar gjithë sezonin me humbjen e sotme 1-2 në “San Siro” ndaj Cagliarit. Kuqezinjve iu duhej vetëm një pikë sonte për të siguruar vendin për në Champions League, por dolën me kokën ulur nga fusha pas 90 minutave.

Vendasit gjetën golin që në minutën e 2-të me Alexis Saelemaekers. Miqtë barazuan shifrat me Gennaro Borrelli, pas një topi të ardhur në zonë nga goditja e këndit. Pjesa e parë mbyllet 1-1.

Në minutën e 57-të, Juan Rodriguez shënon me kokë, pas një topi të ardhur nga goditja e dënimit. Shifrat nuk ndryshuan deri në fund. Zhgënjim i madh në “San Siro”, Milan mbetet jashtë Champions-it.

Roma ka bërë më së miri detyrën, duke fituar 0-2 në transfertën ndaj Veronës. Verdhekuqtë gjetën avantazhin falë golit të Donyell Malen, i cili fillimisht gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Stephen El Shaarawy vulosi fitoren 0-2 në kohën shtesë. Roma e mbyll në vendin e tretë.

Como ka shkruar historinë sonte, duke u kualifikuar për herë të parë në Champions League. Ekipi i drejtuar nga Cesc Fabregas fitoi 1-4 në transfertën ndaj Cremonese dhe falë humbjes se Milan, e mbyll në vend të katërt.

Derbi mes Torinos dhe Juventusit është mbyllur 0-1 për bardhezinjtë. Derbi nisi me vonesë, për shkak të përplasjeve mes dy tifozerive.

Lecce fiton 1-0 ndaj Genoa dhe siguron qëndrimin në elitë për sezonin e ri, Cremonese i bashkohet Veronës dhe Pisës në Serie B. Juventus dhe Milan do të luajnë në Europa League, Atalanta në Conference League.

SHIKOGOLAT

Teilen: