Të dielën, më 31 maj, futbolli shqiptar përjeton kulmin e një edicioni emocionues, me tri skuadra që janë ende në garë për titullin kampion të “Abissnet Superiore”. Egnatia, Elbasani dhe Vllaznia do të zbresin në fushë për 90 minutat vendimtare të këtij edicioni, në një mbrëmje që premton emocione, rivalitet dhe spektakël deri në sekondën e fundit.
Në stadiumin “Air Albania”, në ora 19:00, Vllaznia do të përballet me Elbasanin në një duel direkt ku objektivi është vetëm fitorja. Shkodranët kërkojnë tre pikët për të mbajtur gjallë ëndrrën e titullit, ndërsa Elbasani synon të kurorëzojë një sezon fantastik me trofeun kampion. Të dy skuadrat do të jenë njëkohësisht me vëmendjen edhe te sfida tjetër e javës, duke shpresuar në një hap fals të Egnatias.
Në “Elbasan Arena”, Egnatia do të luajë ndaj Dinamo City-t në një tjetër përballje me peshë të madhe. Rrogozhinasit, që i kanë fituar të dyja ndeshjet ndaj Elbasanit dhe Vllaznisë në fazën “Final 4”, mbajnë fatin në duart e tyre dhe do të kërkojnë të mbyllin sezonin me triumfin historik.
Dy stadiume, dy ndeshje direkt në RTSH dhe një trofe për t’u fituar. Të dielën, sytë e të gjithë tifozëve do të jenë të përqendruar te java finale e kampionatit, aty ku do të shpallet edhe kampioni i këtij edicioni.