Wednesday, 3. June 2026
Sport

​Kuka i shqetësuar për rezultatet në sport: Kosova ka vetëm një medalje serioze këtë vit në sportet olimpike

GS 03/06/2026 2 Min. Lesezeit

Trajneri i xhudos, Driton Kuka, ka ngritur shqetësime për gjendjen e sportit kosovar, duke theksuar nevojën për ndërtimin e një gjenerate të re sportistësh elitarë dhe përqendrimin e institucioneve në rezultate konkrete sportive.

Duke folur për punën që po bëhet në xhudo, Kuka tha se fokusi kryesor tashmë është te gjenerata e re, e cila sipas tij pritet të jetë e gatshme për ciklet olimpike 2028-2032. Ai bëri të ditur se sportistët e rinj po kalojnë nëpër kampe stërvitore në Austri, Slloveni dhe Kroaci, ndërsa shtoi se po punohet më shumë se kurrë për krijimin e garuesve të rinj elitarë. “Prioritet i yni tashmë kjo gjeneratë që realisht do jetë e gatshme në ciklin Olimpik 2028-2032”, ka shkruar Kuka.

Trajneri i mirënjohur u ndal edhe te rezultatet aktuale të xhudos kosovare, duke vlerësuar se sukseset vazhdojnë të mbështeten kryesisht te Distria Krasniqi. “Kur një sportiste e madhe Distria Krasniqi po e mban ende primatin dhe në Evropian e vetme fitoj medalje, kjo flet shumë për gjendjen në federatën tonë”, theksoi ai.

Në një pjesë tjetër të reagimit, Kuka kritikoi institucionet sportive për mungesën e fokusit te rezultatet dhe kërkoi më shumë përgjegjësi nga drejtuesit e sportit. Sipas tij, në qendër të vlerësimit duhet të jenë medaljet dhe normat olimpike, e jo aktivitetet formale.

“Në qendër të krejt institucioneve duhet të jetë rezultati sportiv, të flitet për të arritura e për sportistët me vlera. Vlera janë normat olimpike, medaljet olimpike, botërore e evropiane”, u shpreh ai, duke shtuar se Kosova aktualisht ka vetëm një medalje që ai e konsideron serioze në sportet olimpike gjatë këtij viti.

Teilen: