Thursday, 4. June 2026
Sport

I riu që humbi jetën në Shëngjin ishte futbollist, FFK-ja i dërgon telegram familjes

GS 04/06/2026 2 Min. Lesezeit

Opinioni publik u trondit dje nga vdekja e dy të rinjve në bregdetin e Shëngjinit.

Dy djem nga Kosova u rrëmbyen nga dallgët e detit, të cilave fatkeqësisht nuk iu mbijetuan.

Njëri nga viktimat ishte futbollist i skuadrës KF Fushë-Kosova.

Ekipi dhe bashkëlojtarët kanë pranuar me trishtim lajmin për vdekjen e Leonit Aliut.

“Do të të kujtojmë gjithmonë si një djalë të mirë, të buzëqeshur dhe plot jetë.

Kujtimi yt do të mbetet përherë në zemrat tona” thuhet në telegramin ngushëllues të ekipit.

Postimi i plotë i kreut të FFK-së:

E nderuara familje Aliu,

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen tragjike dhe të parakohshme nga jeta të më të dashurit tuaj, Leonit Aliut.

Në emrin tim personal, të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe të gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të rëndë.

Leoniti do të kujtohet gjithmonë si një djalë i urtë, i respektuar dhe plot jetë. Ai ishte një talent i madh dhe premtues, i cili me përkushtimin, disiplinën dhe dashurinë për futbollin kishte fituar respektin e të gjithëve që e njohën.

Humbja e tij është e rëndë jo vetëm për familjen dhe miqtë, por edhe për klubin dhe komunitetin sportiv, pasi futbolli kosovar humbi një talent me potencial dhe ëndrra të mëdha për të ardhmen.

Në këto momente të vështira, jemi pranë jush dhe ndajmë dhimbjen për këtë humbje të parakohshme.

Qoftë i përhershëm kujtimi për Leonitin. U prehtë në paqe!

Me respekt,

Agim Ademi, president i FFK-së

Teilen: